Prokuroria ngre aktakuzë ndaj katër personave për falsifikim votash në Shtime
**Ferizaj, 18 Mars 2026** – Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave me inicialet Y.S., B.V., Sh.B. dhe R.R., të cilët akuzohen për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”. Rasti lidhet me manipulimet e dyshuara gjatë procesit të numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, më 30 dhjetor 2025.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit, dyshohet se kanë ndërmarrë veprime të koordinuara dhe të qëllimshme për të shtrembëruar rezultatet e votimit. Këto veprime, të kryera në bashkëkryerje dhe në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e përcaktuara me legjislacionin zgjedhor dhe aktet nënligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), synonin cenimin e integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor.
Në detaje, i pandehuri Y.S., si dëftues i votave, pretendohet se ka lexuar dhe komunikuar votat në mënyrë të pasaktë dhe të pakontrolluar. B.V., duke shfrytëzuar qasjen ekskluzive në sistemin elektronik të KQZ-së, ka regjistruar të dhëna të gabuara, pa lejuar mekanizma verifikimi dhe kontrolli nga anëtarët e tjerë. Ndërkohë, Sh.B. dhe R.R., pavarësisht pranisë dhe pjesëmarrjes aktive në procesin e ndarjes dhe verifikimit të fletëvotimeve, me vetëdije nuk kanë ndërmarrë hapa për të parandaluar apo korrigjuar parregullsitë evidente.
Si pasojë e këtyre veprimeve dhe mosveprimeve të koordinuara, janë regjistruar rezultate të pasakta të votimit për kandidatët, të cilat janë konstatuar si mospërputhje thelbësore gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Vepra penale për të cilën akuzohen të pandehurit është “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, e parashikuar nga neni 216, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
