** Media shtetërore e Iranit po përdor platformat e saj në Bosnje dhe Hercegovinë për të përhapur propagandë dhe dezinformata, pavarësisht sanksioneve të rrepta ndërkombëtare. Shërbimi mediatik IRIB, i cili është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe Kanada për shkelje të të drejtave të njeriut, ka synuar mediat në Sarajevë me materiale të manipuluara, përfshirë lajme të rreme mbi vdekjen e liderit suprem, Ali Khamenei, dhe portretizimin e protestuesve pro-demokracisë si “terroristë”.

Sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë, IRIB operon në Ballkan prej gati tri dekadash. Përmes “Sahar Balkan TV”, ky rrjet transmeton përmbajtje që lavdëron regjimin e Teheranit dhe kritikon ashpër Perëndimin. Megjithëse Bosnja dhe Hercegovina, si vend kandidat për në BE, e ka detyrim të harmonizojë politikën e saj me sanksionet evropiane, kanali iranian vazhdon të transmetojë në baza komerciale përmes një televizioni lokal në Sarajevë.

Ndikimi iranian është tentuar të shtrihet edhe në Shqipëri përmes programit “Përshëndetje Shqipëri”, i cili ka qenë aktiv deri në vitin 2018. Megjithatë, aktualisht qasja online në këto platforma në Shqipëri duket e bllokuar. Ekspertët e politikës së jashtme theksojnë se Irani investon qindra milionë dollarë për të prodhuar përmbajtje në gjuhë të ndryshme, duke synuar të fitojë ndikim politik përmes dezinformimit. Edhe pse ndikimi i tyre ka pësuar rënie krahasuar me vitet ’90, IRIB mbetet një mjet kyç i censurës dhe shtypjes, duke funksionuar si krah i zgjatur i inteligjencës iraniane në rajon.