Adelina Tërshani, kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, ka depozituar një dosje voluminoze prej 650 faqesh në Policinë e Kosovës, lidhur me kërcënimet dhe fyerjet që ajo pretendon se i janë drejtuar.
Tërshani theksoi se është viktimë e qindra komenteve fyese, denigruese dhe kërcënuese me përmbajtje urrejtjeje.
“Jam këtu për të vendosur një vijë të qartë mes lirisë së shprehjes dhe dhunës. Për dhjetë vjet kam qenë aktive në jetën publike, por veçanërisht tani jam viktimë e qindra komenteve fyese, denigruese, kërcënuese dhe plot urrejtje. Sot po dorëzoj 650 faqe material në Policinë e Kosovës, jo sepse jam lënduar nga kritika politike – në demokraci kritika është e domosdoshme – por i dorëzoj sepse askush nuk ka të drejtë të përdorë kërcënimin, poshtërimin dhe dhunën online si mjet për të heshtur, frikësuar apo larguar gratë nga jeta publike dhe politike. Kemi toleruar tej mase një kulturë ku njerëzit fshihen pas ekraneve dhe mendojnë se mund të shpifin, ofendojnë dhe kërcënojnë pa asnjë pasojë. Kjo duhet të marrë fund. Interneti nuk është zonë pa ligj; edhe në hapësirën digjitale ekzistojnë përgjegjësia, dinjiteti njerëzor dhe ligji,” tha Tërshani.
Ajo shtoi se çdokush që fyen dhe shfaq urrejtje në rrjetet sociale duhet të marrë dënimin e merituar.
“Ka vajza e gra që në vitin 2026 më thonë: ‘Faleminderit që e ke marrë guximin për të na përfaqësuar edhe në politikë.’ Çfarë guximi kërkohet për të qenë grua në politikë? Për të kandiduar, për të folur në publik? Mjaft më me romantizimin e gruas së fortë në politikë. Synimi nuk është të krijohen gra që durojnë gjithçka; synimi është që çdo person që guxon të shajë, të fyejë apo të veprojë në mënyra të tjera të papranueshme në rrjetet sociale, të përballet me institucionet e drejtësisë dhe të marrë dënimin e merituar,” përfundoi ajo.
