**Nis dezinsektimi në komunat e Kosovës për parandalimin e EHKK-së, Qeveria investon mbi 971 mijë euro**

Qeveria e Kosovës ka nisur një fushatë dezinsektimi në pesë komuna endemike, me qëllim parandalimin dhe kontrollin e Etheve Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK), një sëmundje virale që bartet nga rriqrat. Ky projekt shumëvjeçar, i financuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, parashikon një investim të përgjithshëm prej 971,100 eurosh.

Procesi i dezinsektimit, i cili ka filluar në Malishevë, do të shtrihet edhe në komunat Klinë, Rahovec, Suharekë dhe Drenas, të identifikuara si zona me rrezik të lartë nga përhapja e EHKK-së. Projekti, me fondet e caktuara për periudhën 2025-2028, synon trajtimin e rreth 5,200 hektarëve çdo vit, në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, inspektoi nga afër fillimin e aktiviteteve në Malishevë. Ai theksoi rëndësinë e kësaj ndërhyrjeje afatgjate për mbrojtjen e shëndetit publik. “Mbrojtja e shëndetit publik dhe parandalimi i rrezikut nga EHKK mbeten prioritet i institucioneve tona. Përmes këtij projekti po ndërmarrim veprime konkrete, profesionale dhe afatgjata për të mbrojtur qytetarët dhe për të ulur rrezikun në zonat më të prekura,” deklaroi ministri Muja.

Gjatë zbatimit të projektit, do të përdoren vetëm preparate të miratuara dhe metoda të sigurta, në përputhje me standardet profesionale dhe mbrojtjen e mjedisit. Aktiviteti po zhvillohet në koordinim të ngushtë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), komunat përkatëse dhe ekspertë të specializuar të fushës.

Synimi kryesor i këtij investimi është ulja e rrezikut nga EHKK dhe krijimi i një mjedisi më të sigurt për banorët e zonave të prekura.