Kombëtarja e Kosovës në futboll do të zhvillojë sot stërvitjen e radhës, në kuadër të përgatitjeve për finalen vendimtare kundër Turqisë.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) njoftoi se seanca stërvitore do të nisë në orën 11:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja vendimtare kundër Turqisë, e cila mund t’i sigurojë “Dardanëve” kualifikimin historik, do të luhet të martën, më 31 mars. Pritet një atmosferë madhështore në kryeqytet, ku tifozët do të mbështesin kombëtaren në këtë përballje kyçe.

Pas fitores emocionuese me shifrat 4:3 të enjten kundër Sllovakisë, Kosovës i duhet vetëm edhe një hap për të shkruar historinë e futbollit.

Në rast triumfi kundër ekipit turk, Kosova do të plotësonte ëndrrën shekullore për të marrë pjesë për herë të parë në një Kampionat Botëror, i cili këtë vit zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.