Këshilltarët Komunalë në Mitrovicën e Veriut Miratojnë Largimin e Mbishkrimit “Unë e dua Mitrovicën”
Në një kohë kur qytetarët e Mitrovicës së Veriut vazhdojnë të përballen me sfida ekonomike dhe infrastrukturore, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka risjellë në qendër të debatit çështjen e simboleve dhe mbishkrimeve në qytet.
Gjatë mbledhjes së pestë të rregullt, këshilltarët komunalë miratuan me 10 vota pro dhe 5 kundër futjen në rendin e ditës të kërkesës së Listës Serbe për largimin e instalacionit me mbishkrimin “Unë e dua Mitrovicën” (ose “I love Mitrovica”), i vendosur nga administrata e mëparshme komunale në tetor të vitit të kaluar.
Kjo pikë u shtua në momentet e fundit, edhe pse nuk ishte përfshirë në materialet e shpërndara paraprakisht për këshilltarët. Ky veprim nxiti reagime dhe akuza për mungesë transparence dhe një proces procedural të improvizuar.
Kundër këtij propozimi votuan këshilltarët e iniciativës “Sever za Sve”, Marko Jakshiq dhe Ivan Miletiq, si dhe Ivan Orlloviq nga “Srpska Demokratija”. Ata theksuan se vendime të tilla nuk duhet të merren pa paralajmërim dhe pa një debat serioz institucional.
Gjithashtu, kundër votuan edhe Aida Ferati-Doli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emir Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës.
Debati aktual lidhet me ndryshimet e bëra më 2 tetor të vitit të kaluar, kur administrata e udhëhequr nga Erden Atiq kishte hequr simbolin cirilik “Ja volim Kosovsku Mitrovicu” dhe kishte vendosur instalacionin e ri me alfabet latin “❤︎. Mitrovica”, i shoqëruar me një dizajn dhe stemë të re komunale.
