“Pussycat Dolls” bën një rikthim spektakolar në skenë gjatë “American Music Awards 2026”. Grupi i njohur shënoi paraqitjen e tyre të parë si grup në këtë ceremoni pas një pushimi prej 20 vitesh.
Nicole Scherzinger, Ashley Roberts dhe Kimberly Wyatt, të veshura me kostume lateksi të kuqe, performuan disa prej hiteve të tyre më ikonike në “MGM Grand Garden Arena” në Las Vegas. Trioja dhuroi një performancë energjike, duke ndërthurur këngët “Don’t Cha”, “Buttons”, “When I Grow Up” dhe “Club Song”, gjë që solli një valë nostalgjie tek fansat e grupit, sipas raportimeve të “DailyMail”.
Ky rikthim vjen pas konfirmimit të ribashkimit të grupit, bërë disa muaj më parë. Megjithatë, në skenë nuk u panë ish-anëtaret Jessica Sutta, Melody Thornton dhe Carmit Bachar. Kjo e fundit, më parë, kishte shprehur publikisht në rrjetet sociale pretendimin se ishte lënë jashtë planeve të rikthimit dhe turneut të ardhshëm të grupit.
Po në të njëjtën mbrëmje, vëmendje të veçantë mori edhe Karol G, e cila bëri paraqitjen e saj debutuese në skenën e AMA. Artistja kolumbiane interpretoi këngën “Ivonny Bonita” nga albumi i saj “Tropicoqueta”, e veshur me një fustan argjendi vezullues. Karol G u vlerësua gjithashtu me çmimin “International Artist Excellence” dhe fitoi kategorinë “Best Latin Album” për albumin “Tropicoqueta”, duke konfirmuar suksesin e saj global pas performancës historike në “Coachella”.
