Ferrari prezanton automjetin e parë elektrik me çmim elitar
Ferrari prezantoi të hënën automjetin e saj të parë plotësisht elektrik, duke shënuar një kthesë të rëndësishme për prodhuesin luksoz të makinave sportive. Ky zhvillim vjen në një kohë kur konkurrentët si Porsche dhe Lamborghini po zbehin ambiciet e tyre për automjetet elektrike, për shkak të kërkesës së ulët.
Modeli me katër dyer, i pagëzuar “Ferrari Luce” – fjalë që në italisht do të thotë “dritë” – u zhvillua në bashkëpunim me ish-drejtorin e dizajnit të Apple, Jony Ive, dhe ekipin e tij LoveFrom. Gjithashtu, është makina e parë e Ferrarit me pesë vende.
Ferrari synon të tërheqë familjet e pasura, duke ofruar ambiente të brendshme komode, teknologji të avancuar dhe një bagazh me kapacitet 600 litra. Dorëzimet e automjetit Luce, me një çmim prej 550 mijë eurosh, pritet të fillojnë në tremujorin e katërt të vitit 2026.
“Është rezultat i pesë viteve punë të palodhur,” u shpreh drejtori ekzekutiv, Benedetto Vigna, para mbi 200 gazetarëve të mbledhur në Romë.
Modeli Luce, i cili amplifikon tingujt natyralë të vibrimeve nga sistemi i tij elektrik për të ruajtur ndjesinë emocionale të një Ferrari tradicional, përfaqëson një bast strategjik. Ferrari beson se brezi i rritur me teknologji dhe inteligjencë artificiale – më pak i lidhur me trashëgiminë e motorëve klasikë me 12 dhe 8 cilindra – do t’i drejtohet automjeteve elektrike luksoze dhe të teknologjisë së lartë.
Kompania shpreson se ky model do t’i mundësojë zgjerimin në tregje si Kina, ku automjetet elektrike janë tashmë të përhapura dhe makinat e mëdha me benzinë taksohen më rëndë.
“Në bazën tonë të klientëve ka shumë individë që kërkojnë diçka krejtësisht të ndryshme, për t’u përdorur në momente specifike të jetës,” theksoi drejtori i marketingut dhe tregtisë së Ferrarit, Enrico Galliera. Ai shtoi se makina është “absolutisht mahnitëse”, duke vënë në dukje se ajo posedon katër motorë elektrikë – nga një për secilën rrotë – të cilët gjenerojnë mbi 1,000 kuaj-fuqi. Kjo i mundëson një shpejtësi maksimale mbi 310 km/h dhe një manovrim më të shkathët, pavarësisht peshës mbi 2.2 tonë.
