Dy kongresistë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, kanë zhvilluar sot një takim në Presidencën e Kosovës me ushtruesen e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu.

Gjatë vizitës së tyre në rajon, delegacioni amerikan ka planifikuar takime me përfaqësues të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe me ata të sigurisë ndërkombëtare dhe vendore. Gjithashtu, janë parashikuar takime me shoqërinë civile dhe mediat.

Para mbërritjes në Prishtinë, kongresisti Keith Self, gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, ka adresuar sfidat midis shqiptarëve dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e një kuptimi më të thellë të situatës në terren.

“Kemi konstatuar se ekzistojnë probleme reale midis shqiptarëve dhe Serbisë, një fakt që e kemi ditur më parë. Gjithashtu, do të vizitojmë Kosovën për të mësuar rreth pakicës serbe atje. Qëllimi është të vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar trajtimin e pakicave dhe të drejtat e tyre,” deklaroi Self.

Nga ana tjetër, kongresisti demokrat, Suhas Subramanyam, ka vënë në pah çështjet e arsimit dhe zhvillimit të pabarabartë si problematika thelbësore për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka vlerësuar vizitën si shumë të rëndësishme, duke theksuar se ajo dëshmon rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj çështjeve të shqiptarëve në Luginë.

“Përshtypja jonë nga ky takim është tejet pozitive. Kongresistët shfaqën interesim të lartë dhe kërkuan detaje konkrete për shumë çështje që i adresuam gjatë diskutimeve. Kjo na jep shpresë se zëri i shqiptarëve të Luginës po dëgjohet me forcë më të madhe nga vendimmarrësit ndërkombëtarë përtej Atlantikut,” u shpreh Sinani.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, theksoi se, ndërsa Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat nuk zbatohen për shqiptarët në Luginën e Preshevës.