Takim i kongresistëve amerikanë me Kryeministrin Kurti, në fokus çështjet e pakicave
Dy kongresistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, kanë nisur sot një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kjo vizitë e delegacionit amerikan në rajon ka për qëllim zhvillimin e takimeve me përfaqësues institucionalë dhe mbledhjen e informacioneve mbi çështjet e pakicave dhe zhvillimet politike.
Gjatë vizitës paraprake në Luginën e Preshevës, kongresisti Keith Self deklaroi se ekzistojnë probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë. “Kemi konstatuar se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kishim ditur. Megjithatë, do të vizitojmë edhe Kosovën për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, theksoi Self.
Ndërsa kongresisti demokrat, Suhas Subramanyam, ngriti shqetësimin për arsimin dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, u shpreh se kjo vizitë dëshmon se çështja e shqiptarëve në Luginë po fiton vëmendje ndërkombëtare. Nga ana tjetër, deputeti Shaip Kamberi theksoi se Serbia nuk po i zbaton ndaj shqiptarëve të Luginës standardet që kërkon për serbët në Kosovë.
