Fatmir Limaj viziton nënën e Hashim Thaçit, shpreh shpresën për ribashkim me ish-bashkëluftëtarët
Fatmir Limaj vizitoi sot familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, në ditën e Kurban Bajramit. Gjatë vizitës, Limaj shprehu shpresën që “festat e ardhshme t’i presim bashkë me bashkëluftëtarët tanë që padrejtësisht gjenden në Hagë”.
Vizita u bë publike nga vetë Limaj përmes një postimi në Facebook, ku ai publikoi edhe një fotografi me nënën e zotit Thaçi, zonjën Hyrë. Në postimin e tij, Limaj theksoi se “në këtë ditë të shenjtë të Bajramit, vizita te nëna Hyrë dhe familja e mikut tim, Presidentit Hashim Thaçi, ishte vizitë te qëndresa, krenaria dhe atdhedashuria”.
Limaj përshkroi ndjenjat e tij, duke shkruar se “në sytë e një nëne që pret djalin e saj nga Haga, shihet malli, por mbi të gjitha krenaria për rrugën dhe sakrificën e tij për Kosovën”. Ai theksoi gjithashtu se “nëna Hyrë qëndron e fortë, ashtu siç kanë qëndruar gjithmonë nënat shqiptare, me zemër të madhe dhe besim të palëkundur”.
Mesazhi i Limajt përmbyllej me lutjen drejtuar Zotit, të cituar edhe në fillim: “Lusim Zotin që festat e ardhshme t’i presim bashkë me bashkëluftëtarët tanë që padrejtësisht gjenden në Hagë!”.
