**Mbyllet sot afati për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e 7 qershorit**
Sot, më 30 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbyll afatin për aplikim online për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave, të cilët dëshirojnë të monitorojnë zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe aktivitetet pasditës zgjedhore.
Lajmin e bëri publik zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili për Ekonomia Online shpjegoi kush mund të aplikojë për akreditim.
“Deri në fund të ditës së sotme, e shtunë, 30 maj 2026, subjektet politike të certifikuara, organizatat joqeveritare (OJQ), organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara për zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat, si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.
Elezi theksoi se edhe në këto zgjedhje, KQZ ka planifikuar një program të veçantë për vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët përfaqësojnë institucione dhe organizata të specializuara në fushën e zgjedhjeve.
“Ky program ka për qëllim prezantimin e sistemit zgjedhor të Republikës së Kosovës, kornizës ligjore dhe administrimit të zgjedhjeve. Vëzhguesit ndërkombëtarë, që përfaqësojnë institucione zgjedhore dhe organizata të specializuara, do të kenë mundësi të ndjekin nga afër aktivitete të ndryshme, duke filluar nga shpërndarja e materialeve zgjedhore, hapja e vendvotimeve dhe votimi në komuna të ndryshme, e deri te procesi i numërimit të fletëvotimeve”, detajoi Elezi.
Sipas tij, në kuadër të këtij programi, vëzhguesve do t’u ofrohet mundësia për vizita institucionale dhe aktivitete me karakter kulturor, me qëllim njohjen me Republikën e Kosovës.
Elezi theksoi rëndësinë e veçantë që KQZ-ja i jep vëzhgimit të zgjedhjeve, pasi vëzhguesit ndihmojnë në rritjen e besimit në procesin zgjedhor dhe në identifikimin e mangësive organizative.
“Vëzhgimi i zgjedhjeve është një element thelbësor për garantimin e transparencës, integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor. Për KQZ-në, angazhimi i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë përbën një mekanizëm të rëndësishëm mbikëqyrës, i cili ndikon në rritjen e besimit të qytetarëve te procesi zgjedhor. KQZ-ja e vlerëson vëzhgimin si të domosdoshëm, pasi ai mundëson monitorimin e të gjitha fazave të zgjedhjeve – duke nisur nga përgatitjet, dita e votimit, e deri te numërimi dhe shpallja e rezultateve”, sqaroi Elezi.
Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar prej saj do të mund të monitorojnë procesin përgatitor, mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR).
**Procedura e aplikimit**
Përfaqësuesi i autorizuar i organizatës (qoftë joqeveritare, qeveritare/ndërqeveritare, ndërkombëtare e specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut, media, apo përfaqësues i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat e kërkuara në platformën: https://apliko.kqz-ks.org
Pas aplikimit fillestar, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe miratojë ose refuzojë kërkesën. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online, me qëllim që të bashkëngjisë të dhënat për personat e organizatës/medias që kërkojnë akreditim.
