Bedri Hamza prezanton zotimin e dytë qeverisës: Krizave do t’u themi STOP, pa PDK-në në qeveri nuk do të ketë qytete pa rrymë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar zotimin e dytë të programit të tij qeverisës, duke premtuar fundin e krizave dhe mungesës së energjisë elektrike në Kosovë. Ai shprehu shqetësimin për ndërprerjet e rrymës në zonat kryesore të kryeqytetit, duke theksuar se kjo është dëshmi e krizës në të cilën, sipas tij, e ka futur vendin Qeveria Kurti.

Në një konferencë për media, e cila u zhvillua simbolikisht pa drita dhe pa zërim, Hamza deklaroi se PDK-ja do ta qeverisë sektorin energjetik me transparencë, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë.

“Kosova ndodhet në krizë ekonomike, sociale, politike dhe në krizë shprese. Përgjegjësia është e qartë: Qeveria Kurti. Sot nuk kemi rrymë, por ne jemi këtu pikërisht për të folur për rrymën dhe për investimet infrastrukturore që i mungojnë vendit tash e gjashtë vite,” tha ai.

Hamza u shpreh se qytetarët e Kosovës meritojnë energji të sigurt, çmime më të përballueshme dhe një shtet që planifikon për të ardhmen.

“Krizave do t’u themi STOP së bashku. Dhe së bashku do ta ndryshojmë edhe Kosovën. Ju zotohem se me qeverinë që do ta udhëheq unë, ditë si kjo nuk do të përsëriten më. Nuk do të ketë më qytete pa rrymë dhe as dështime që e paralizojnë jetën e qytetarëve. Shteti do të funksionojë me plan, me përgjegjësi dhe me rezultate konkrete, jo me improvizim dhe justifikime,” shtoi Hamza.

Zotimi i dytë i programit të tij qeverisës fokusohet te investimet në energji, infrastrukturë moderne dhe teknologji të reja.

“Energjia është baza mbi të cilën ndërtohet çdo ekonomi moderne. Pa furnizim të sigurt, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka vende pune dhe nuk mund të ketë as mirëqenie për familjet. Prandaj, energjia do të jetë prioritet kombëtar i qeverisë sonë. Ne do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, sepse energjia elektrike është nevojë bazike, jo e mirë luksi. Heqja e TVSH-së do t’i ulë menjëherë faturat e energjisë, do ta rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të kontribuojë në stabilitetin social,” u zotua kreu i PDK-së.

Programi i PDK-së parashikon modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet rreth 500 MW, shtrirjen e sistemeve të ngrohjes qendrore në të paktën pesë qytete të Kosovës, investime në energjinë diellore, zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe realizimin e lidhjes energjetike Kosovë–Shqipëri.

Përveç energjisë, Hamza premtoi vazhdimin e investimeve në infrastrukturë moderne, në rrugë dhe në hekurudha. PDK-ja angazhohet për përfundimin e projekteve madhore rrugore, si autostradat drejt Gjilanit, Podujevës, Gjakovës dhe të tjera; për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore; për realizimin e lidhjes hekurudhore Kosovë–Shqipëri, si projekt strategjik ekonomik dhe kombëtar. Ai shtoi se do të investohet edhe në teknologji të reja dhe në transformimin digjital të Kosovës, duke mbështetur zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative, inovacionin dhe startup-et, si dhe duke zgjeruar infrastrukturën digjitale dhe duke krijuar kushte që të rinjtë tanë ta ndërtojnë karrierën e tyre në Kosovë.

Në fund, Hamza falënderoi qytetarët për mbështetjen e vizionit të PDK-së, duke theksuar se “kudo po e shohim që qytetarët janë lodhur nga krizat dhe janë gati për një drejtim të ri.” Ai theksoi se fushata do të vazhdojë në çdo qytet të Kosovës, për të ndërtuar së bashku me qytetarët rrugën drejt ndryshimit.