Daniel Serwer për krizën në Kosovë: Shpresoj që zgjedhjet e 7 qershorit ta zgjidhin situatën, Kurti të veprojë shpejt për koalicionin nëse nuk fiton shumicën

**Profesori i Universitetit “Johns Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 7 qershor.**

Serwer ka shprehur shpresën se zgjedhjet e qershorit do të arrijnë të zgjidhin situatën e krijuar, e cila, sipas tij, “po vazhdon prej më shumë se dy vitesh”. Në një deklaratë për AbcNews, ai theksoi gjithashtu se, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin të sigurojë shumicën, kryeministri Albin Kurti duhet të “lëvizë shpejt drejt krijimit të një koalicioni”.

“Kjo lloj situate ndodh në sistemet parlamentare. Në thelb, ka dy zgjedhje: njëra në ditën e votimit dhe tjetra gjatë procesit të formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit. Kosova ka pasur vështirësi në këtë proces dhe nuk ka arritur t’i zgjidhë problemet brenda një afati të arsyeshëm. Në fakt, kjo situatë po vazhdon prej më shumë se dy vitesh. Shpresoj që këto zgjedhje ta zgjidhin më në fund situatën në një mënyrë ose në një tjetër. Nuk e di nëse partia e Albin Kurtit, Vetëvendosje, do të sigurojë shumicën që kishte dikur, por nëse nuk e arrin, shpresoj që kryeministri Kurti të lëvizë shpejt drejt krijimit të një koalicioni dhe zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Serwer.