**Administrata Trump rishikon sanksionet e epokës Biden, heq nga lista Alexander Manolevin**
Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një rishikim të gjerë të sanksioneve dhe masave kufizuese të vendosura gjatë mandatit të ish-Presidentit Joe Biden. Si vendim i parë i dukshëm, ajo ka hequr nga lista e personave të ndaluar biznesmenin bullgar Alexander Manolev.
Sipas raportimeve të medias “The Pavlovic Today” dhe konfirmimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Manolev, ish-zëvendësministër i Ekonomisë në Bullgari, ishte hequr nga një masë e vendosur në vitin 2021. Kjo masë ia ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara atij dhe familjes së tij. Ai ishte përfshirë në listën e kufizimeve bazuar në nenin 7031(c), që zbatohet ndaj zyrtarëve të huaj të dyshuar për korrupsion të rëndë ose shkelje të të drejtave të njeriut. Megjithatë, Manolev ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke argumentuar se vendimi ishte bazuar në informacione të pasakta dhe me motivim politik.
Raportet theksojnë se administrata Trump po shqyrton edhe raste të tjera të sanksioneve të vendosura gjatë presidencës së Bidenit, pasi disa zyrtarë aktualë besojnë se një pjesë e tyre janë përdorur më shumë për qëllime politike sesa për objektiva të mirëfillta të sigurisë kombëtare. Artikulli shton gjithashtu se zyrtarë pranë administratës Trump po analizojnë ndikimin e mundshëm të rrjeteve të ndryshme politike dhe organizatave ndërkombëtare në vendimet e mëparshme të sanksioneve, duke përfshirë pretendimet për ndikimin e fondacioneve të lidhura me miliarderin George Soros.
Heqja e emrit të Manolevit konsiderohet nga vëzhguesit si një nga sinjalet e para të ndryshimit të qasjes së administratës Trump ndaj politikës së sanksioneve, ndërsa pritet që rishikimi të përfshijë edhe raste të tjera me profil të lartë.
