Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit Kosova A do t’i nënshtrohet një ndalimi të kontrolluar gjatë natës së sotme, për shkak të rrjedhjeve të evidentuara në sistemin gypor të kaldajës.

Sipas njoftimit të KEK-ut, ndalimi i njësisë është planifikuar të realizohet rreth orës 00:00, pas vlerësimeve të bëra nga menaxhmenti dhe stafi profesional i termocentralit, shkruan IndeksOnline.

“Monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes teknike ka treguar se vazhdimi i operimit mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha në pajisje, andaj është vendosur që njësia të ndalet në mënyrë të kontrolluar dhe në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë operative”, thuhet në njoftim.

KEK bën të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë në gatishmëri të plotë dhe, sapo të krijohen kushtet për ndërhyrje të sigurt, do të nisin identifikimin dhe sanimin e rrjedhjeve me synim rikthimin e njësisë në operim sa më shpejt që të jetë e mundur.

Korporata rikujton se njësia A3 ishte rikthyer në operim më 2 prill 2026, pas sanimit të rrjedhjeve të evidentuara në fund të muajit mars. Që nga ajo kohë, njësia ka operuar në mënyrë të qëndrueshme për rreth 58 ditë.

Sipas KEK-ut, duke pasur parasysh vjetërsinë e njësisë dhe ngarkesën e vazhdueshme operative, kjo periudhë funksionimi paraqet dëshmi të angazhimit dhe profesionalizmit të ekipeve të operimit dhe mirëmbajtjes.

KEK thekson se mbetet i përkushtuar në mirëmbajtjen dhe operimin e sigurt të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese, ndërsa paralelisht po realizon investime të mëdha modernizuese, veçanërisht në Termocentralin Kosova B.

Nga korporata është bërë e ditur se opinioni publik do të informohet për ecurinë e punimeve dhe kohën e rikthimit të njësisë A3 në operim./IndeksOnline/