Kapen rreth 26 kg marihuanë, Prokuroria e Mitrovicës jep detaje; tre të dyshuarit ndalohen për 48 orë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka dhënë detaje në lidhje me një aksion të fundit ku janë sekuestruar rreth 26 kilogramë substancë narkotike, e dyshuar si marihuanë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, tre persona janë arrestuar mëngjesin e sotëm, pasi gjatë kontrollit të një veture janë gjetur dhe sekuestruar substancat narkotike.

Të dyshuarit janë ndaluar me urdhër të prokurorit për një periudhë 48-orëshe, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se, brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të ndaluarit.