**Zgjedhjet në Kosovë: Mbi 1.7 milionë fletëvotime të gatshme, shpërndarja nis të shtunën**

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen këtë të diel, më 7 qershor. Mbi 1.7 milionë fletëvotime, të shtypura në Slloveni, tashmë ndodhen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dhe shpërndarja e tyre do të fillojë të shtunën.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, bëri të ditur se për votimin brenda vendit janë shtypur gjithsej 1.778.300 fletëvotime. Nga ky numër, 1.605.000 janë parashikuar për vendvotimet e rregullta, 19.450 për votimin me kusht, 3.500 për persona me nevoja të veçanta dhe 13.500 fletëvotime si rezervë.

Elezi theksoi se, si në zgjedhjet e kaluara, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime se numri i përgjithshëm i votuesve, duke u bazuar në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje. Këto fletëvotime, aktualisht në QNR, do të nisin shpërndarjen logjistike të shtunën në mëngjes drejt Qendrave Komunale të Numërimit, ndërsa të dielën në mëngjes do të dërgohen në Qendrat e Votimit.

Ndërkaq, për votimin jashtë vendit, Elezi sqaroi se fletëvotimet tashmë janë nisur drejt përfaqësive diplomatike. Gjithsej janë shtypur 108.000 fletëvotime për votimin me postë dhe 28.850 fletëvotime për votimin në përfaqësitë diplomatike. Votimi me postë ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor, duke mbuluar 104.488 votues të regjistruar për këtë lloj votimi.

Më 6 qershor, procesi i votimit do të zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike (17 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës) të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, duke iu mundësuar të votojnë 27.724 votuesve të regjistruar paraprakisht. Votimi do të jetë i mundur në 47 vendvotime brenda këtyre përfaqësive.

Më 7 qershor është dita e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Procesi i votimit do të zhvillohet në 949 Qendra Votimi, me gjithsej 2.550 vendvotime. Nga këto, 911 Qendra Votimi me 2.498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra të tjera (nga një për çdo komunë), me 52 vendvotime, do të mundësojnë votimin me kusht. Numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda Kosovës është 1.959.962 votues.