Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj U.D., drejtor i kompanisë “M.L.L.C.”, si dhe ndaj vetë personit juridik, nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktakuzës, drejtori i kompanisë dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë me qëllim mashtrimi gjatë aplikimit në një procedurë të prokurimit publik.

Aktakuza detajon se në gusht 2024, në Prizren, gjatë procedurës së prokurimit publik me titull “Sigurimi fizik në objektet e shëndetësisë primare të Komunës së Prizrenit”, me vlerë totale 80,825.60 euro, U.D. ka paraqitur një faturë të rreme në vlerë prej 4,775.00 euro. Qëllimi i këtij veprimi ka qenë mashtrimi dhe ndikimi në vendimin e autoritetit kontraktues.

Verifikimi nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka konstatuar se fatura e paraqitur nuk ishte deklaruar sipas legjislacionit tatimor në fuqi.

Për këto veprime, aktakuza është ngritur edhe ndaj personit juridik “M.L.L.C.”. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Për U.D., prokurori ka kërkuar edhe dënimin plotësues të mosushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.