Shkëlqimi i Asllanit me Hoffenheimin, Bundesliga i dedikon vëmendje të veçantë
Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani ka realizuar sezonin më të mirë të karrierës së tij deri më tani, duke shfaqur performanca mbresëlënëse si me fanellën e Hoffenheimit ashtu edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.
23-vjeçari regjistroi dhjetë gola dhe shtatë asistime në 34 paraqitje në Bundesligë me Hoffenheimin. Gjithashtu, ai shënoi një gol edhe në Kupën e Gjermanisë.
Me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës, Asllani kontribuoi me tre gola në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Si rezultat i paraqitjeve të tij pozitive në Gjermani, faqja zyrtare e Bundesligës i ka dedikuar një postim të veçantë, duke shfaqur disa nga momentet më të mira të Asllanit gjatë sezonit. “Fisnik Asllani po shkëlqente në sezonin 2025/26”, shkruante Bundesliga në faqen e saj zyrtare në Instagram.
Asllani u rikthye te Hoffenheimi verën e kaluar, pas një periudhe huazimi te Elversbergu në Bundesliga 2. Më herët, ai kishte luajtur gjithashtu në huazim te Austria Viena në Bundesligën austriake.
Fisnik Asllani është rritur në akademinë e Hoffenheimit, ku kaloi pas transferimit nga Union Berlin U19.
Megjithatë, pritet që Asllani të largohet nga Hoffenheimi këtë verë. Disa klube të mëdha evropiane kanë shprehur interesim për shërbimet e tij, përfshirë Bayern Munichun dhe Barcelonën, ndërsa Borussia Dortmundi raportohet të jetë klubi më serioz në garë për firmën e tij.
