Vjosa Osmani në Viti: Kosova përballë dy rrugëve, zhvillim ose stagnim

Vjosa Osmani, kandidate për presidente, në tubimin elektoral të mbajtur në Viti, vlerësoi historinë e Kosovës, rëndësinë e aleancave ndërkombëtare dhe paraqiti vizionin e saj politik, si dhe atë të LDK-së. Ajo theksoi se vendi gjendet përballë dy rrugëve: asaj të zhvillimit apo të stagnimit, raporton Ekonomia Online.

Në fillim të fjalimit, Osmani nderoi dëshmorët e lirisë, figurat historike dhe theksoi aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo theksoi rëndësinë e tre shtyllave të shtetit, duke cituar: “Më lejoni qysh në fillim t’i nderoj tri shtyllat e fuqishme të shtetit tonë: Falënderoj organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për prezencën e tyre sot këtu. Nderojmë të gjithë dëshmorët, heronjtë e martirët, të cilët dhanë jetën në mënyrë që ne sot, të lirë, të qëndrojmë në këtë shesh të lirisë, pa frikë nga askush.”

Më pas, ajo vuri në pah figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe rëndësinë jetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

Osmani vijoi me thirrjen: “Ta nderojmë të gjithë së bashku, po ashtu, kujtimin për mbi të gjitha rrugën që na la pas ati ynë themeltar, presidenti Ibrahim Rugova, i cili edhe nga këtu është si mburojë e shtetit të Republikës së Kosovës. Pikërisht ashtu siç do të pritej nga Vitia, por edhe nga gjithë Kosova, përkrah Rugovës e kemi si simbolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës — shtetit mburojë të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Shtetit aleat, i cili jo vetëm në vitin ’99, por edhe sot qëndron pranë Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës do të jetë përjetësisht mirënjohëse dhe do ta mbrojë këtë aleancë me çdo kusht.”

Osmani u shpreh e bindur për fitore dhe bëri thirrje për mobilizimin e votuesve në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ajo deklaroi me bindje: “Fitore pra, sepse unë e di shumë mirë, siç e dini secili prej jush, që kur rugovistët çohen në këmbë, nuk ka kush i ndal! Shteti ynë sot ballafaqohet me dy rrugë, dhe janë vetëm dy rrugë: Në njërën rrugë, që e përfaqëson Lidhja Demokratike e Kosovës, keni zhvillimin, investimet, një plan të jashtëzakonshëm të udhëhequr nga kryeministri i ardhshëm, zoti Lumir Abdixhiku, dhe integrimin euroatlantik të Republikës sonë.”

Më tej, ajo kritikoi ashpër kundërshtarët politikë, duke theksuar se ata përfaqësojnë stagnim dhe përçarje.

Osmani vijoi duke përshkruar rrugën tjetër: “Kurse në anën tjetër, që dorën në zemër e përfaqësojnë krejt këta të tjerët bashkë (sepse bashkë kanë qenë gjithmonë e bashkë janë bërë edhe tash kundër LDK-së), andej kemi atë që ka pasur historikisht: përçarje, ndarje mes shqiptarësh, stagnim, bllokim, kriza, fajësim e mbi të gjitha mungesë pune! Asnjë punë të vetme në interes të Kosovës nuk kanë mundësi ta prezantojnë para këtij populli.”

Osmani theksoi se Vitia luan një rol kyç në rezultatet e zgjedhjeve dhe përsëriti thirrjen për mobilizim të votuesve.

Ajo shprehu besimin e saj: “Prandaj, jam e bindur që më 7 qershor, përgjigjja ka me qenë e qartë si kristali… Dhe këtë qartësi jam e bindur që do t’ia japë Vitia Kosovës, duke i prirë Anamoravës në këtë fitore të madhe.”

Ajo e mbylli fjalimin me një thirrje të fortë: “Kur katër herë jeni bërë kampion, ju bëj thirrje, Viti: mos lejoni askush t’ju dalë përpara më 7 qershor!”