Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është aktualisht prioritet kryesor i aleatëve, por theksoi se kjo nuk përjashton mundësinë e një zhvillimi të tillë në të ardhmen. Këto komente ai i bëri gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Rubio shtoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin kandidatin italian për postin e ri të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke besuar se ai do të “kryente mirë punën” dhe do të ndihmonte në sjelljen e stabilitetit në rajon.
Pyetjet ndaj Rubios u drejtuan nga Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropë në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili kohët e fundit vizitoi Bosnjën, Serbinë dhe Kosovën, duke e përshkruar situatën në Ballkanin Perëndimor si “jashtëzakonisht të brishtë”. Self theksoi ekzistencën e një “problemi të pazgjidhur” midis Serbisë dhe Kosovës dhe i kërkoi Rubios të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO në bisedimet me katër vendet anëtare të aleancës që ende nuk e njohin pavarësinë e saj, duke penguar kështu integrimin e saj ushtarak.
Në përgjigje, Rubio tha se, bazuar në takimet e tij me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës, NATO “është e përqendruar në çështje të tjera” dhe se zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, nuk është në krye të agjendës së këtyre vendeve. Megjithatë, ai përsëriti se “kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”.
Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, por shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj, të shpallur më 2008, vazhdojnë të jenë pengesë për integrimin euroatlantik të Prishtinës. Në këtë kontekst, Self, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Evropën Juglindore.
**Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë**
Lidhur me Bosnjë dhe Hercegovinën, pas dorëheqjes së Christian Schmidtit, Rubio konfirmoi se SHBA-ja mbështet “zotërinë nga Italia” për postin e ri të Përfaqësuesit të Lartë, pa e specifikuar emrin e tij. Diplomati italian Antonio Zanardi Landi përmendet si kandidati i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Rubio shtoi se SHBA-ja mbetet e angazhuar për çështjen e Bosnjës, duke theksuar se “gjëja e fundit që duam të shohim është çfarëdo lloj konflikti atje, çfarëdo ndarjeje, kufizimi apo gjëra të kësaj natyre që do të shkaktonin konflikt të mëtejshëm”.
Mbledhja e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) nisi të mërkurën në Sarajevë, ku pritet të diskutohet për zgjedhjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe për përcaktimin e mandatit të tij të ardhshëm. Përveç Zanardit, ndër kandidatët e përmendur janë edhe i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe të dërguarit aktualë dhe të mëparshëm britanikë, Karen Pierce dhe Stuart Peach. Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, Schmidt do të vazhdojë të mbajë postin deri në një vendim tjetër, siç ka paralajmëruar vetë gjatë dorëheqjes së tij.
Përfaqësuesi i Lartë, i emëruar nga PIC-u, ka detyrë të mbikëqyrë zbatimin civil të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (1995) dhe gëzon “Kompetencat e Bonit”, të cilat i mundësojnë imponimin e vendimeve dhe ligjeve, si dhe shkarkimin e zyrtarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.
