Hailey Bieber zbulon tatuazhin e ri me numrin 22: Cili është kuptimi i veçantë?
Hailey Bieber ka shtuar një tatuazh të ri, plot domethënie, në koleksionin e saj. Themeluesja e markës Rhode e zbuloi dizajnin e ri, numrin “22” të gdhendur në pjesën e brinjëve, përmes një serie fotosh të publikuara në Instagram, si pjesë e promovimit të fushatës verore të markës së saj.
Detaji i veçantë u vu re menjëherë nga fansat dhe shkaktoi diskutime të shumta në rrjetet sociale. Edhe pse Hailey nuk ka folur publikisht për kuptimin e tij, shumë ndjekës besojnë se tatuazhi është një dedikim për djalin e saj, Jack Blues Bieber. Numri 22 duket të ketë një rëndësi të veçantë për familjen, pasi modelja feston ditëlindjen më 22 nëntor, ndërsa djali i saj lindi më 22 gusht. Kjo e bën tatuazhin një simbol të fortë të lidhjes mes nënës dhe të birit.
29-vjeçarja është e njohur për pasionin e saj ndaj tatuazheve minimalistë, të cilët shpesh mbartin mesazhe personale ose lidhen me momente të rëndësishme të jetës së saj. Gjatë viteve, Hailey ka zgjedhur dizajne të vogla dhe diskrete, duke i kthyer ato në një pjesë thelbësore të identitetit të saj estetik.
Kjo simbolikë familjare nuk mungon as tek bashkëshorti i saj, Justin Bieber. Këngëtari ka gjithashtu një tatuazh të vogël me numrin “22” në dorë, i cili besohet se përfaqëson ditëlindjen e djalit të tyre. Pranë këtij numri, ai ka gdhendur edhe shkronjën “H”, inicialin e emrit të Hailey-t, duke simbolizuar kështu lidhjen e tyre. Për fansat, tatuazhi i ri i Hailey-t është një tjetër dëshmi e dashurisë dhe përkushtimit të saj ndaj familjes.
