Kandidati për kryeministër dhe kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me artistë, shkrimtarë, piktorë dhe përfaqësues të komunitetit kulturor në Soma Book Station, ku diskutuan për rolin e artit dhe kulturës në shoqërinë kosovare.

Sipas Abdixhikut, gjatë bashkëbisedimit u trajtuan tema që lidhen me artin, letërsinë, skenën, librin, trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e kulturës si themel i identitetit kombëtar.

Ai theksoi se në kuadër të 113 zotimeve të programit të LDK-së, kulturës i është kushtuar një vëmendje e veçantë, duke përfshirë projekte si ndërtimi i Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, Teatrit të ri Kombëtar, Muzeut të Paqes dhe Rezistencës, Muzeut të Artit Bashkëkohor dhe Qendrës së Librit.

“Steti ndërtohet me identitet, kujtesë dhe krijimtari. Me artistët, shkrimtarët, piktorët dhe njerëzit e kulturës që i japin shpirt shoqërisë sonë. Prandaj, arti e kultura nuk do të jenë në margjina, por pjesë e dinjitetshme e zhvillimit të Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të tij me grupe të ndryshme shoqërore për prezantimin e vizionit dhe prioriteteve programore për zhvillimin e vendit.