Tri sindikatat e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë paralajmëruar protesta të martën, duke filluar nga ora 12:00, para ndërtesës së institucionit, për shkak të gjendjes së rëndë financiare dhe mosrealizimit të pagave.

Në një takim urgjent të mbajtur sot, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës diskutuan situatën financiare kritike në transmetuesin publik. Nga ky takim, ato dolën me vendimin unanim për të nisur protestat, me kërkesë për përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së.

Sindikatat theksojnë se Bordi dhe Menaxhmenti kanë treguar neglizhencë të theksuar, duke argumentuar se këto organe kanë pasur më shumë se dy javë kohë për të adresuar dhe zgjidhur problemin financiar.

Mosrealizimi i pagave, sipas sindikatave, ua pamundëson punëtorëve përmbushjen e nevojave themelore jetësore, si sigurimi i ushqimit, transportit dhe mbulimi i detyrimeve familjare të përditshme.

Ato theksojnë se në rrethana të tilla, askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi, performancë apo përkushtim profesional nga punëtorët, ndërkohë që institucioni dështon në përmbushjen e obligimeve themelore ndaj tyre. “Për SPRTK, SPERTK dhe ShSRK, është e papranueshme që një institucion publik me rëndësi të veçantë për informimin e qytetarëve të përballet me pasiguri financiare që vë në pikëpyetje pagesën e punëtorëve të tij,” thuhet në deklaratën e tyre. Më tej shtohet se “Punëtorët nuk mund dhe nuk do të mbajnë barrën e dështimeve menaxheriale, vendimeve të gabuara apo pasojave të proceseve për të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi.”

Tri sindikatat, të përfaqësuara nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, konfirmuan vendosmërinë e tyre për të mbrojtur pagat, vendet e punës dhe dinjitetin e punëtorëve.