Kupa e Botës 2026 do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si do të interpretohen himnet kombëtare para ndeshjeve, pas një njoftimi nga FIFA.
Turneu do të zhvillohet për herë të parë me 48 kombëtare, të ndara në 12 grupe me nga katër skuadra, si dhe me një fazë të re të 1/16-ës së finales.
Në total do të luhen 104 ndeshje në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada – hera e parë që tre vende organizojnë së bashku një Kupë Bote.
Mes rregullave dhe ndryshimeve të reja janë edhe pushimet për hidratim për shkak të temperaturave të larta, por FIFA ka konfirmuar gjithashtu një format të ri për ceremoninë para ndeshjes.
Himnet kombëtare të të dy skuadrave do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e ceremonisë para takimit, por në Kupën e Botës 2026 të gjithë 26 lojtarët e një kombëtareje do të jenë në fushë gjatë interpretimit të himnit.
Të dy skuadrat, së bashku me gjyqtarët, do të qëndrojnë rreth rrethit qendror në një koncept të quajtur “360 gradë”, i cili do të përfshijë edhe flamuj gjigantë të vendeve që do të mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të fushës.
Kjo do të thotë se edhe 15 lojtarët që nuk janë në formacionin titullar do të marrin pjesë aktivisht në ceremoni, në vend që të qëndrojnë pranë bankinës si zakonisht.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi:
“Ndërsa Kupa e Botës po zgjerohet, ne vazhdojmë të sjellim risi në mënyrën se si përjetohet loja. Ceremonitë para ndeshjes nuk do të jenë ndryshe. Të gjithë lojtarët dhe gjyqtarët do të përballen me njëri-tjetrin në rrethin qendror gjatë himneve kombëtare, duke krijuar një moment uniteti, krenarie dhe emocionesh që u përket skuadrave dhe të gjithëve. Përveç kësaj, do të kemi një ceremoni të ridizajnuar 360 gradë që përfshin të gjithë tifozët në stadium, me flamuj kombëtarë dhe elemente të tjera në fushë që krijojnë një përvojë unike nga çdo ulëse”, tha ai.
Pas përfundimit të ceremonisë, lojtarët do të përshëndeten me njëri-tjetrin para hedhjes së shortit me monedhë nga kapitenët për fillimin e ndeshjes.
Ndryshe nga Kupa e Botës për Klube, ku lojtarët hynin individualisht në fushë, ky format nuk do të përdoret në Kupën e Botës.
Finalja do të përfshijë gjithashtu një spektakël në pushimin mes pjesëve me pjesëmarrjen e Shakiras dhe Madonnas, ndërsa do të zhvillohen edhe tri ceremoni të ndryshme hapëse.
Në Meksikë, Shakira dhe Burna Boy do të interpretojnë himnin e Kupës së Botës para ndeshjes hapëse kundër Afrikës së Jugut më 11 qershor.
Ndërkohë, në Toronto do të performojnë Michael Bublé dhe Alanis Morissette, ndërsa në Los Angeles tifozët do të shijojnë performanca nga Katy Perry dhe Future më 12 qershor./GazetaExpress/
