Nait Hasani rrëfen tmerrin e Burgut të Dubravës: “Me një brisje jemi rruar 20-30 vetë, mua më ka plagosur rëndë shpirtërisht ajo pavërtetësi”

Ish-i burgosuri politik Nait Hasani ka ndarë në emisionin “Kosova Live” në T7 fragmente nga kujtimet e tij të rënda nga koha e kaluar në Burgun e Dubravës, duke përshkruar kushtet çnjerëzore dhe vuajtjet që përjetuan të burgosurit gjatë luftës.

Në rrëfimin e tij, Hasani foli për mungesën e kushteve elementare, duke theksuar se edhe higjiena ruhej me vështirësi të jashtëzakonshme.

“Brenda Burgut të Dubravës me një brisje jemi rruar nga 20 deri në 30 vetë; me të kemi hequr edhe flokët”, u shpreh ai.

Ai reagoi ashpër edhe ndaj publikimeve që, sipas tij, shtrembërojnë të vërtetën për ngjarjet e ndodhura në burg.

“Që të dalë dikush prej nesh dhe të publikojë një libër me pavërtetësi, kjo mua më ka plagosur rëndë shpirtërisht”, deklaroi Hasani.

Rrëfimi i tij vjen në kohën kur debati për ngjarjet e luftës dhe paraqitjen e tyre publike është rikthyer në qendër të vëmendjes, pas reagimeve të shumta për pasaktësi informacionesh në ekspozitën e fundit.