**Selimi: UÇK-ja ishte kryengritje popullore, jo ushtri e organizuar si ajo e Serbisë**

Ish-kryediplomati Petrit Selimi ka komentuar procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai theksoi se vendimi i këtij gjykimi pritet me padurim jo vetëm nga të akuzuarit dhe familjet e tyre, por edhe nga qytetarët e Kosovës dhe aleatët e saj.

Sipas Selimit, procesi është përcjellë me skepticizëm që në fillim, për shkak të akuzave fillestare që, siç tha ai, nuk u pasqyruan në zhvillimin e mëvonshëm të gjykimit.

“Verdikti po pritet me padurim nga familjet dhe nga vetë ata që po qëndrojnë në Hagë, në një gjykim që ai e cilëson të padrejtë. Gjithashtu, theksoi Selimi, vendimi pritet me interes edhe nga populli i Kosovës dhe aleatët e saj, të cilët e kanë ndjekur gjykimin me një dozë skepticizmi,” deklaroi Selimi.

Ai shpjegoi se gjykimi nuk vazhdoi me akuzat fillestare të bujshme, të lidhura me tregtinë e organeve dhe pretendimet e Dick Martyt, por mori një drejtim krejt tjetër. “Fatkeqësisht, pas gjashtë vitesh, ne po presim finalen,” tha ai.

Selimi theksoi se vendimi përfundimtar duhet të marrë parasysh natyrën e UÇK-së dhe rolin e drejtuesve të saj gjatë luftës në Kosovë.

“Nëse gjykata do të jetë e drejtë, ajo duhet të marrë në konsideratë dy pika thelbësore: Së pari, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një kryengritje popullore dhe jo një ushtri e organizuar si ajo e Serbisë. Dhe së dyti, se liderët e UÇK-së nuk janë angazhuar në konspiracione kriminale apo në pastrim etnik, por kanë qenë udhëheqës të një kryengritjeje kryesisht rurale, por mbarëkosovare, për çlirimin e vendit nga okupimi serb,” përfundoi Selimi.