**Pakistani konfirmon: Është arritur teksti final i marrëveshjes SHBA-Iran**
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka deklaruar se është arritur “teksti përfundimtar” i një marrëveshjeje paqeje të qëndrueshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Sharif theksoi se Pakistani po “bashkëpunon ngushtë me të dyja palët për të finalizuar hapat e mëtejshëm”. “Paqja nuk ka qenë kurrë kaq afër sa është tani,” shtoi ai.
Pakistani ka luajtur një rol thelbësor si ndërmjetës në bisedimet e paqes mes dy vendeve, duke qenë se mban marrëdhënie të mira me të dyja palët.
Kjo deklaratë nga Pakistani vjen pasi presidenti amerikan deklaroi dje se ishte arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.
Megjithatë, gjatë ditës së sotme kishte pasur paqartësi lidhur me kushtet e kësaj marrëveshjeje.
Mediat iraniane raportuan kushte që ngjasonin me kërkesat e Teheranit, duke përfshirë edhe faktin që SHBA-të “duhet të paraqesin” një plan rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh për Iranin.
Sipas këtyre raportimeve, marrëveshja do të hiqte sanksionet ndaj Iranit dhe do të tërhiqte forcat amerikane nga zonat përreth vendit.
Negociatat përfundimtare mbi programin bërthamor të Teheranit dhe çështjet ekonomike do të zhvilloheshin më vonë, por pa përfshirë diskutime mbi programin raketor të Iranit.
Nga ana tjetër, Donald Trump i cilësoi kushtet e raportuara si “lajme të rreme” dhe deklaroi se ato “nuk kishin asnjë lidhje me kushtet për të cilat u ra dakord”.
Më vonë, ai ripostoi një deklaratë të ministrit të Jashtëm të Iranit, i cili theksoi se një marrëveshje “nuk kishte qenë kurrë kaq afër”, por paralajmëroi mediat të mos spekulonin rreth përmbajtjes së saj.
