Parlamenti izraelit (Kneseti) ka miratuar një projektligj që parashikon dënimin me vdekje për terroristët. Nisma, e cila ka ngjallur debat të gjerë, u votua pro nga 62 nga 120 deputetë, ndërsa 48 votuan kundër. Deputetët e mbetur munguan ose abstenuan. Projektligji, i propozuar nga partia Otzma Jehudit e drejtuar nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, mori mbështetjen edhe të kryeministrit Benjamin Netanjahu.
Kritikët e shohin këtë ligj si racist, duke argumentuar se në praktikë ai prek kryesisht palestinezët. Sipas projektligjit, palestinezët e dënuar nga gjykatat ushtarake në territoret e pushtuara për vrasje me motive terroriste, do të përballen detyrimisht me dënimin me vdekje. Gjyqtarët do të jenë të detyruar ta shqiptojnë këtë masë në raste të tilla. Vendimi mund të apelohet, dhe në rast dënimi përfundimtar, ekzekutimi duhet të kryhet brenda 90 ditëve, me varje nga një roje burgu.
Gjithashtu, sipas të njëjtit projektligj, një person i dënuar në gjykatat civile brenda Izraelit për vrasje me motiv terrorist, me qëllim shkatërrimin e shtetit, mund të dënohet me vdekje ose me burgim të përjetshëm.
Izraeli kishte shfuqizuar dënimin me vdekje për vrasje në vitin 1954. Megjithatë, ligji izraelit e lejonte këtë dënim në raste të veçanta, si për kriminelët nazistë ose për tradhti gjatë luftës. Ekzekutimi i kriminelit nazist gjerman Adolf Eichmann në vitin 1962 shënon rastin e fundit të zbatimit të një dënimi me vdekje të shqiptuar nga një gjykatë në Izrael.
Ky projektligj ka ngjallur shqetësim të thellë në rang ndërkombëtar. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, së bashku me homologët e tij nga Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, lëshuan një deklaratë të përbashkët ku theksonin se “Dënimi me vdekje është një formë çnjerëzore dhe poshtëruese ndëshkimi, pa asnjë efekt parandalues.” Deklarata vijonte: “Prandaj ne e kundërshtojmë dënimin me vdekje në mbarë botën, në çdo rrethanë.” Këto shtete u bënë thirrje autoriteteve izraelite të heqin dorë nga planet e tyre.
