**Argjentinë: Ndalohet Hyrja në Stadium Për Prindërit që Nuk Pagujnë Detyrimet Ushqimore**
Një vendim i paprecedentë është marrë në Argjentinë. Sipas raportimeve të të përditshmes “La Nacion”, prindërit që nuk shlyejnë detyrimet ushqimore për fëmijët e tyre nuk do të lejohen të hyjnë në stadiume për ndeshjet e Kupës së Botës dhe evenimente të tjera të rëndësishme sportive.
Kjo masë prek rreth 13,000 nëna dhe baballarë dhe është vendosur nga Bashkia e Buenos Aires. Ajo i ka dorëzuar autoriteteve kombëtare një listë të detajuar të personave me pagesa të prapambetura.
“Në bashkëpunim me qeverinë kombëtare, kemi integruar bazën tonë të të dhënave në programin ‘Tribuna Segura’ për të forcuar kontrollet në të gjithë vendin, veçanërisht gjatë periudhës së Kupës së Botës. Kushdo që nuk përmbush një detyrim kaq thelbësor, siç është mirëmbajtja e fëmijëve, do të duhet të përballet me pasojat,” deklaroi Jorge Macri, kryetari i Bashkisë së Buenos Aires.
Megjithatë, për Kupën e Botës 2026, 13 mijë personat e prekur nga kjo masë kanë ende mundësi të rregullojnë situatën e tyre financiare. Kështu, ata do të mund të ndjekin ndeshjet e ardhshme të Argjentinës, duke përfshirë ato të Kupës së Botës, ku “Albiceleste” do të garojë si kampione në fuqi.
