**Afati i fundit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, priten masa për shkelësit**
Sot përfundon afati ligjor për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë në Kosovë. Procesi i deklarimit vjetor të pasurisë, që i referohet vitit 2023 dhe duhej të përmbushej deri më 31 mars 2024, është në fazën finale.
Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave, të gjithë personat zyrtarë në Republikën e Kosovës kishin detyrimin ligjor ta deklaronin pasurinë e tyre brenda këtij afati.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) bëri të ditur dje se një numër i konsiderueshëm zyrtarësh ende nuk e kanë përmbushur këtë detyrim. Më konkretisht, 1,195 zyrtarë publikë e kanë nisur procesin, por nuk e kanë përfunduar, ndërsa 901 zyrtarë nuk e kanë filluar fare deklarimin.
APK ka theksuar se mosdeklarimi, vonesa ose deklarimi i pasaktë i pasurisë përbëjnë shkelje të rënda ligjore. Sanksionet për këto shkelje përfshijnë gjoba, kallëzime penale dhe masa të tjera, ndërsa në raste të caktuara mund të shqiptohen edhe dënime me burgim dhe konfiskim të pasurisë së padeklaruar.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve publikë që të përmbushin detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë brenda afatit të përcaktuar. “Transparenca nuk është vetëm detyrim ligjor, por përbën themelin e besimit qytetar dhe të integritetit institucional. Prandaj, është e rëndësishme që secili, në kuadër të përgjegjësive të tij, të kontribuojë për një administratë më të hapur dhe më të përgjegjshme,” theksoi Buleshkaj.
Këtë vit, listës së subjekteve deklaruese i janë shtuar edhe mjekët dhe profesorët. Këto kategori, sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, janë të përfshira në regjistrin përkatës dhe i nënshtrohen të njëjtit afat ligjor për deklarim.
