Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski, ka njoftuar se gjatë kësaj vere do të nisë ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që synon përmirësimin e lidhjes me Kosovën dhe rajonin.
“Gjatë kësaj vere do të filloj të ndërtohet autostrada Shkup-Bllacë. Punimet do t’i realizojë konzorciumi i udhëhequr nga kompania “Granit””, ka deklaruar Nikollovski.
Sipas tij, kjo kompani vendore do të jetë bartëse e një projekti madhor, i cili pritet të përfundojë brenda tre viteve e gjysmë.
“Autostrada Shkup–Bllacë do të përmirësojë lidhjen me Kosovën dhe Malin e Zi, do të rrisë sigurinë në trafik dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime në rajon”, ka theksuar Nikollovski.
Projekti për ndërtimin e kësaj autostrade daton që nga viti 2014. Ndërtimi i segmentit të parë prej 2 kilometrash ka nisur në vitin 2022, ndërsa fillimi i punimeve për segmentin e dytë prej 10 kilometrash ishte paraparë në dhjetor të vitit të kaluar.
Zvarritja e punimeve, sipas Ministrisë së Transportit, është shkaktuar nga procedurat burokratike të institucionit financiar.
