CNN: Goditjet izraelite dhe mesazhet kontradiktore rrisin pasigurinë për marrëveshjen SHBA-Iran

Presidenti amerikan, Donald Trump, po i kërkon Izraelit të mos sulmojë Libanin, ndërkohë që thekson se Uashingtoni dhe Teherani janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje.

Të dielën, Izraeli goditi ato që pretendoi se ishin qendra të Hezbollahut në jug të Bejrutit, duke rritur më tej presionin mbi negociatat për një marrëveshje SHBA-Iran. Trump kishte shpresuar ta nënshkruante këtë marrëveshje në ditëlindjen e tij të 80-të.

Nëse Uashingtoni dhe Teherani nënshkruajnë memorandumin e mirëkuptimit, kjo pritet të hapë rrugën për 60 ditë të tjera negociatash mbi detajet e një pakti që synon uljen e tensioneve.

CNN sqaron situatën aktuale:

“Sulmi i kësaj mëngjesi ndaj Bejrutit nuk duhej të kishte ndodhur”, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke shtuar: “veçanërisht në një ditë të veçantë kur jemi kaq afër një Marrëveshjeje Paqeje me Iranin”.

Një burim izraelit i tha CNN-it se Izraeli e kishte informuar paraprakisht SHBA-në për sulmin e ditës së dielë ndaj Bejrutit. Burimi shtoi se Izraeli kishte marrë parasysh mundësinë që sulmi mund të provokonte Iranin të hakmerrej duke lëshuar raketa balistike kundër Izraelit në ditën e një nënshkrimi të mundshëm të marrëveshjes.

Dy figura të larta iraniane kanë kritikuar mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Izraelin pas këtyre sulmeve.

Ndërkohë, Teherani ka sinjalizuar se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi kornizën e propozuar nga SHBA-ja, dhe veçanërisht fraksioni i linjës së ashpër iraniane ka kundërshtuar disa nga propozimet e përfshira në tekst.

Presidenti i Iranit tha se vendimet përfundimtare për negociatat i përkasin udhëheqësit suprem të vendit dhe Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, në mes të shenjave të mosmarrëveshjeve të thella mes fraksioneve kryesore brenda vendit.

Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, iu shmang përgjigjes kur u pyet më herët gjatë ditës për të dhënë detaje rreth memorandumit të mundshëm të mirëkuptimit SHBA-Iran. Waltz theksoi se më shumë hollësi do të diskutohen në bisedimet e ardhshme.

Ish-presidenti Barack Obama u shpreh se është “e dyshimtë” nëse ndonjë marrëveshje e mundshme mes SHBA-së dhe Iranit do të jetë “ndjeshëm ndryshe” apo “një përmirësim” krahasuar me Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), i ndërmjetësuar nga administrata e tij në vitin 2015.

Ndërkohë, një ekspert i energjisë paralajmëroi se amerikanët duhet të presin çmime të larta të naftës dhe gazit deri në fund të verës, edhe nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet shpejt.