Franca ka njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja nga Bashkimi Evropian kundër 54 subjekteve, të lidhura kryesisht me operacionet e “flotës në hije” të Rusisë, e cila synon anashkalimin e sanksioneve ndërkombëtare. Njoftimi u bë të hënën nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot.
“Presioni mbi Rusinë do të vazhdojë,” deklaroi Barrot përpara një Këshilli për Punët e Jashtme në Luksemburg. “Sot po miratojmë sanksione kundër 54 subjekteve përgjegjëse për funksionimin e të ashtuquajturës flotë në hije, gjë që i lejon Rusisë të anashkalojë sanksionet.”
Ministri Barrot riafirmoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të BE-së për Ukrainën, duke theksuar se bisedimet e pranimit të saj në Bashkimin Evropian do të hapen zyrtarisht, me përkrahjen e plotë të bllokut për autoritetet ukrainase.
Më tej, Barrot bëri të ditur se sanksionet do të përfshijnë edhe individët përgjegjës për vrasjen e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, si dhe ata që janë aktivë në përhapjen e propagandës së Kremlinit në Evropë.
Ai dënoi ashpër edhe sulmin e fundit me raketa të Rusisë mbi kryeqytetin ukrainas Kiev, gjatë të cilit u përfshi nga flakët Katedralja e Fjetjes së Hyjlindëses brenda kompleksit historik manastiror të Lavrës së Kievit-Peçersk. Barrot theksoi se, për popullin francez, një ngjarje e tillë do të ishte e barabartë me bombardimin e Notre-Dame-it ose të Saint-Denis-it, “gjë që sigurisht është e papranueshme.”
