Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Teherani nuk do të pajiset me armë bërthamore, pavarësisht nëse ka një marrëveshje apo jo.

Mes kritikave në rritje në Izrael për mënyrën se si po i jepet fund luftës, Netanyahu ka thënë se parandalimi i Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore është “misioni i tij në jetë”.

“Me ose pa një marrëveshje, Irani nuk do të ketë armë bërthamore, as sot dhe as nesër. Për sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, kjo nuk do të ndodhë”, tha Netanyahu.

Ai deklaroi se gjatë operacioneve të mëparshme, shkencëtarët bërthamorë iranianë u vunë në shënjestër, zyrtarët e lartë të regjimit u likuiduan dhe u shkatërruan objektet bërthamore, raketat dhe pjesa më e madhe e kapacitetit prodhues për programin e raketave. Sipas pretendimeve të tij, Irani kështu pësoi dëme që maten në qindra miliarda dollarë, dhe ndoshta afër një trilion.

Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Netanyahu nuk donte të specifikonte nëse Izraeli do të vepronte në mënyrë të pavarur kundër Iranit apo kundër Hezbollahut në Liban.

Megjithatë, ai theksoi se në bisedimet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, ai përfaqëson vazhdimisht interesat e sigurisë së Izraelit.

“Shumë herë kemi të njëjtin mendim dhe ka raste kur nuk pajtohemi aq shumë. Unë jam përgjegjës për interesat e sigurisë së Izraelit. Unë i mbroj ato”, tha Netanyahu.

Ai njoftoi gjithashtu një shumë shtesë prej 350 miliardë shekelësh izraelitë për buxhetin e mbrojtjes, me mesazhin se Izraeli do të zhvillojë teknologji që “shtyjnë kufijtë e imagjinatës” dhe forcojnë më tej pavarësinë e tij të sigurisë.