Arsim Bajrami: Gjykimi i UÇK-së nga Specialja është i padrejtë, gjykon një popull

Profesor i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka deklaruar se gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë është i padrejtë, duke e cilësuar atë si një gjykim ndaj një populli dhe shteti, e jo thjesht ndaj individëve. Këto komente, Bajrami i bëri gjatë një konference shkencore, raporton Ekonomia Online.

Konferenca, e cila mbante titullin “Krimet e forcave serbe në Komunën e Vushtrrisë dhe rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1998-1999”, u organizua me rastin e Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë.

Gjatë fjalës së tij, Bajrami theksoi se në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krime gjenocidi. Ai shtroi pyetjen nëse këto ishin krime klasike apo një projekt shtetëror serb për shfarosjen masive të shqiptarëve.

Sipas tij, tendencat për relativizimin dhe mohimin e krimeve, si dhe për rishkrimin e historisë së Kosovës, duke demonizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, janë një reflektim i drejtpërdrejtë ndaj një “gjykimi të padrejtë dhe politik” që Gjykata Speciale po bën ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Profesori nënvizoi se ky nuk është një gjykim ndaj individit, por “është gjykim ndaj një populli, shtetit, i cili ka qenë i sulmuar”.

Bajrami argumentoi se shteti fqinj në veri, Serbia, kishte një plan të qartë për shfarosjen e popullit shqiptar. Në aspektin juridik dhe të së drejtës ndërkombëtare, të gjitha llojet e krimeve kanë ndodhur në Kosovë: krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ai sqaroi se krimet nuk maten gjithmonë me numër viktimash, por me qëllimin politik që qëndron pas tyre.

Serbia, pas luftërave në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë, u fokusua te shfarosja e shqiptarëve, e nxitur nga një urrejtje historike dhe mitologjike. Ai përmendi plane të vjetra serbe, të cilat i paraprijnë më shumë se 200-300 vjet dhe kishin për qëllim shfarosjen masive të shqiptarëve. Bajrami kujtoi se edhe Slobodan Millosheviqi kishte deklaruar se “gjithçka filloi në Kosovë dhe gjithçka mbaroi me Kosovën”.