Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE) kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi Strategjik, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në sektorët e mbikëqyrjes, financave dhe teknologjisë financiare (FinTech). Marrëveshja synon thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës në fushat me interes të përbashkët.
Në ceremoninë e zhvilluar në selinë e CBUAE-së në Abu Dhabi, Memorandumin e Mirëkuptimit e firmosën Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe homologu i tij nga CBUAE, Khaled Mohamed Balama.
Sipas njoftimit të BQK-së, marrëveshja parashikon thellimin e koordinimit në fushat mbikëqyrëse dhe rregullatore. Ajo do të mundësojë gjithashtu shkëmbimin e ekspertizës lidhur me zhvillimin e teknologjisë financiare, politikën monetare, masat makroprudenciale dhe stabilitetin financiar.
Ndër fushat prioritare të përfshira në këtë memorandum janë mbrojtja e konsumatorëve financiarë, përfshirja dhe edukimi financiar, bankingu islamik, mbikëqyrja bankare, mbikëqyrja dhe vëzhgimi i sistemeve të pagesave, zbatimi i standardeve ndërkombëtare prudenciale, si dhe parandalimi i pastrimit të parave dhe luftimi i financimit të terrorizmit (AML/CFT), në përputhje me ligjet dhe rregulloret e zbatueshme të të dyja palëve.
Guvernatori i CBUAE-së, Khaled Mohamed Balama, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje në një kohë transformimesh të shpejta në sektorin financiar global. Ai deklaroi se Memorandumi vjen për të forcuar kanalet institucionale të bashkëpunimit dhe për të shkëmbyer njohuri e praktika më të mira, duke rritur aftësinë e sektorit financiar për t’u përshtatur me ndryshimet, në mbështetje të vizionit të lidershipit të Emirateve dhe interesave të ndërsjella të të dy vendeve.
Nga ana e tij, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e quajti këtë memorandum të parë me Bankën Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe një “moment historik” për institucionin. Sipas tij, marrëveshja pasqyron angazhimin e BQK-së për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucione partnere me reputacion të lartë, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e modernizimit të vazhdueshëm të sektorit financiar të Kosovës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.
