Vuçiq: S’ka ndryshime thelbësore në Kosovë pas reduktimit të KFOR-it
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk parashikon ndryshime thelbësore në terren pas njoftimit të NATO-s për reduktimin gradual të numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm.
Gjatë një vizite zyrtare në Tbilisi të Gjeorgjisë, Vuçiq theksoi se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të zvogëlojnë praninë e forcave të tyre në kuadër të misionit paqeruajtës, por, sipas tij, kjo nuk do të ndikojë në situatën e sigurisë.
“Shtetet e Bashkuara me siguri do të reduktojnë gradualisht praninë e tyre, por kombet e tjera do ta mbajnë numrin e trupave në të njëjtin nivel, prandaj në thelb asgjë nuk do të ndryshojë”, citohet të ketë thënë Vuçiq, sipas mediave serbe të transmetuara nga KosovaPress.
Ai shprehu pritshmërinë që KFOR-i dhe NATO-ja të vazhdojnë të garantojnë sigurinë e serbëve dhe objekteve fetare në Kosovë.
Këto deklarata të presidentit serb vijnë pasi NATO njoftoi më 12 qershor se, për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë, do të nisë një proces gradual të atij që e quajti ‘optimizim i misionit’ në Kosovë.
