Pesë kandidatë kualifikohen për postin e Kryeprokurorit të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pranuar zyrtarisht pesë aplikime për garën për Kryeprokuror të Shtetit, duke konfirmuar se të gjithë kandidatët plotësojnë kushtet e kërkuara.
Emrat që kandidojnë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit janë Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.
Atdhe Dema shërben si prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit. Naim Abazi dhe Rafet Halimi janë prokurorë në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit. Shqipdon Fazliu është prokuror në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, ndërsa Zejnullah Gashi është kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Në mbledhjen e zhvilluar të mërkurën, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, u zotua për një proces transparent. Ai theksoi se sekretariati ka shqyrtuar materialet e dorëzuara nga kandidatët dhe ka prezantuar pesë emrat që plotësojnë të gjitha kushtet.
Në mesin e kandidatëve nuk është kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, të cilin Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte zgjedhur në konkursin e organizuar rreth tre vjet më parë. Megjithatë, në tetor të vitit 2023, Presidentja Vjosa Osmani nuk e dekretoi Isufajn për këtë pozitë, me arsyetimin se në procedurën e përzgjedhjes ishin shënuar dhjetëra shkelje. Që nga ajo kohë, Kosova ka pasur një ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
