**Rizvanolli: Mbi 35 milionë euro investime në efiçiencë të energjisë në Kosovë**

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se në Kosovë janë investuar mbi 35 milionë euro në projekte të efiçiencës së energjisë. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e sistemit të koogjenerimit për mbrojtjen e mjedisit.

Rizvanolli theksoi se qeveria ka qenë “agresive” në zbatimin e projekteve të efiçiencës energjetike, duke përmendur skema të reja, si ajo për izolimin e shtëpive. Megjithatë, ajo pranoi se ritmi i investimeve mund të ishte më i shpejtë, duke identifikuar çështjen e financimit si sfidën kryesore.

Një shembull i vonesave është marrëveshja 75 milionë eurosh me bankën gjermane KfW, e cila, ndonëse u nënshkrua nga qeveria në janar të vitit 2025 (sipas vlerësimit të saj), priti 14-15 muaj për ratifikim në Kuvend, për shkak të moskonstituimit të tij. Ministrja njoftoi se faza e ardhshme përfshin zgjerimin e financimit për ngrohjen e shtëpive individuale, si dhe shfrytëzimin e fondeve të IPA-s (Instrumenti i Para-Anëtarësimit) për projekte pilot në katër komuna të Kosovës, për ndërtesat shumëbanesore rezidenciale.

Lidhur me koogjenerimin, Rizvanolli deklaroi se ishte një nga prioritetet fillestare, por pati hezitime nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit, për shkak të bazës së tij në qymyr. Ajo shpjegoi se bashkë me ministrin Murati, kishin bërë përpjekje të mëdha për të bindur BERZH-in, duke argumentuar se Kosova është pjesë e procesit të dekarbonizimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Si kusht për financim, Termokosit iu kërkua të hartonte një plan afatgjatë dekarbonizimi. Megjithatë, procesi u vonua nga Termokosi i Prishtinës në studimin e fizibilitetit dhe përcaktimin e vendndodhjes së stacionit kryesor, gjë që shtyu nënshkrimin e marrëveshjes.

Rizvanolli shtoi se tani janë në fazën e fundit para nënshkrimit, ku po pritet një zotim për bashkëfinancim nga Komuna e Prishtinës, dhe shpreson që projekti të nisë së shpejti.

Sa i përket efiçiencës energjetike në sektorin privat, ministrja e cilësoi si pjesën më sfiduese. Ajo theksoi se kanë nisur me ndërhyrje dhe dizajnim skemash për të evituar keqpërdorimet e së kaluarës. Këto skema përfshijnë pajisje ngrohëse, panele diellore dhe pajisje të tjera. Përveç sektorit publik, mbështetja është shtrirë edhe te bizneset, fillimisht me sisteme diellore dhe ngrohje efiçiente. Në bashkëpunim me KfW dhe me mbështetjen e GIZ-it, po ofrohen shndërrues frekuence, izolim ndërtesash dhe sisteme solare.

Qëllimi për të ardhmen është përfshirja e pajisjeve të tjera, si sistemet e ventilimit dhe ftohjes. Rizvanolli e mbylli duke theksuar se adresa më sfiduese mbeten teknologjitë specifike të prodhimit industrial, të cilat janë më të vështira për t’u adresuar nga institucionet.