**Haxhiu për Ukshin Hotin: Liria nuk dhurohet, por fitohet me veprim**
Presidentja në Detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe sot në Shtëpi-Muzeun e profesor Ukshin Hotit, me rastin e ditëlindjes së tij. Ajo nderoi jetën dhe veprën e një prej mendjeve më të ndritura dhe patriotëve më të përkushtuar të kombit shqiptar.
Haxhiu theksoi se: “Profesor Ukshin Hoti ishte shembulli më i mirë i intelektualit që dijen e vuri në shërbim të lirisë dhe interesit të përgjithshëm. Me guxim të rrallë, mençuri të thellë dhe përkushtim të palëkundur, ai qëndroi gjithmonë pranë popullit, duke mbrojtur të drejtën tonë për vetëvendosje dhe dinjitet kombëtar.”
Sipas saj, Ukshin Hoti e kuptoi dhe e artikuloi qartë se liria nuk dhurohet e as nuk kërkohet me përulje, por për të veprohet. Kjo ide, shtoi ajo, u bë frymëzim për breza të tërë dhe mbetet edhe sot udhërrëfyes për rrugëtimin e Republikës së Kosovës.
