Teksa Anglia përgatitet të nisë sulmin për Kupën e Botës, duket se skuadra prej 26 lojtarësh ka më shumë motivim se kurrë më parë, falë një shpërblimi bujar nga Federata Angleze e Futbollit (FA).
Përveç mundësisë për të ngritur trofeun e artë për herë të parë pas 60 vitesh, lojtarët e Anglisë do të përfitojnë nga sponsorët, vlerësimet publike dhe madje edhe tituj nderi, nëse merret si shembull mënyra se si u nderuan së fundmi “Lionesses”.
Por ata do të marrin edhe një bonus të madh financiar nëse fitojnë titullin, ndërsa kjo shumë mund të shumëfishohet ndjeshëm për trajnerin e ri, Thomas Tuchelin.
Përpara Kupës së Botës është raportuar se sa do të fitojnë yjet e Anglisë, dhe shuma marramendëse renditet ndër shpërblimet më të mëdha për një kombëtare.
Normalisht, lojtarët e Anglisë marrin vetëm një pagesë simbolike prej 2,000 funtesh për çdo paraqitje me kombëtaren, por kjo shumë zakonisht dhurohet përmes Fondacionit të Futbollit Anglez dhe rishpërndahet për bamirësi.
Megjithatë, raportimet sugjerojnë se fitimi i Kupës së Botës në Amerikën e Veriut do t’i sillte secilit lojtar një bonus individual prej më shumë se 500,000 funtesh.
Kjo shumë rritet ndjeshëm për Tuchelin, i cili raportohet se do të fitojë “disa milionë” nëse e udhëheq Anglinë drejt suksesit.
Këto bonuse vijnë përveç fondit të çmimeve të FIFA-s, ku fituesi i Kupës së Botës përfiton 50 milionë dollarë (37.5 milionë funte).
Për krahasim, triumfi i kombëtares angleze të femrave në Kampionatin Evropian u solli lojtareve rreth 1.75 milionë funte secilës, megjithëse shuma u zvogëlua ndjeshëm pas taksave.
Shumë fitues të turneve ndërkombëtare zakonisht dhurojnë një pjesë të shpërblimeve për bamirësi. Një shembull është Franca, lojtarët e së cilës dhuruan pjesë të bonusit prej rreth 350,000 funtesh pas triumfit në vitin 2018.
Bonuset e Anglisë janë më të larta se ato të disa rivalëve evropianë këtë vit, gjë që mund të shërbejë si një motivim shtesë për “Tre Luanët”.
Për shembull, Spanja pritet të përdorë një sistem me katër nivele shpërblimesh, i cili hyn në fuqi që nga çerekfinalet. Bonuset fillojnë nga rreth 150,000 funte dhe rriten në çdo fazë, deri në 400,000 funte në rast të fitimit të finales.
Për Francën, pragu i bonusit raportohet të jetë rreth 450,000 funte, ndërsa lojtarët e Belgjikës mund të fitojnë nga 30,000 deri në 400,000 funte.
Shpërblimi i Gjermanisë pritet të jetë “dukshëm më i madh” se 250,000 funtet që u dhanë pas triumfit në vitin 2014, megjithëse ende nuk është finalizuar.
Në një konferencë për shtyp më herët këtë muaj, Jonathan Tah deklaroi: “Jemi ende në diskutime me federatën, por jemi afër një marrëveshjeje; gjërat po shkojnë mirë”>
Deri tani, e vetmja kombëtare që planifikon një shpërblim më të madh se Anglia është Brazili, ku bonusi prej 1 milion dollarësh (750,000 funte) për lojtar tejkalon të gjitha kombëtaret e tjera.
Megjithatë, disa vende afrikane si Senegali, Bregu i Fildishtë dhe Maroku përdorin modele të ndryshme shpërblimi, ku lojtarët mund të marrin prona të paluajtshme ose parcela toke nga presidenti apo mbreti i vendit, përveç shpërblimeve monetare.
Anglia e nis fushatën e saj me një përballje ndaj Kroacisë, duke synuar të mposhtë një nga rivalët e saj më të njohur të viteve të fundit./GazetaExpress/
