Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, ngjarje e ndodhur në prill të këtij viti në Balldren të Lezhës, është arrestuar në Mal të Zi dhe është deportuar në Shqipëri.

Sipas njoftimit të Policisë, shtetasi me iniciale B.K., banues në fshatin Torovicë, dyshohet se ka ndihmuar autorët e krimit duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së ngjarjes. Ky automjet u gjet dhe u sekuestrua më pas nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve.

Arrestimi i B.K. është bërë i mundur falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe autoriteteve policore malazeze. Pas marrjes së informacionit mbi vendndodhjen e të kërkuarit, Policia e Malit të Zi e lokalizoi dhe e kapi atë në Ulqin. Menjëherë pas kapjes, shtetasi u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë.

B.K. ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim. Kjo masë ishte caktuar në kuadër të hetimeve për vrasjen me armë zjarri të bashkëshortëve K. M. dhe G. M., ngjarje e ndodhur më 26 prill.