**Deputetja Koçeku reagon sërish për Thethin: “Kam qarë më shumë se kur më vdiq babai”**
Marjana Koçeku, deputetja e Shkodrës, e cila së fundmi u bë protagoniste pas largimit nga Partia Socialiste dhe vendimit për të vijuar si deputete e pavarur, ka reaguar sërish në rrjetet sociale.
Ajo këtë herë ka folur për ngjarjet e vitit të shkuar në Theth, ku Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ndërmori një operacion të gjerë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Deputetja u shpreh se në atë kohë ka qarë më shumë se kur humbi babain e saj.
“I kërkoj falje nga zemra Thethit. Ajo ngjarje ka qenë një nga goditjet më të mëdha emocionale që kam marrë në jetën time. Unë nuk qaj, por ato ditë kam qarë më shumë se kur më vdiq babai. Betohem në shtatë shenjtorët që besoj më shumë, se tani do t’ju përfaqësoj si duhet. Nuk do t’i fyejë kush më ato male, siç i kanë fyer”, shprehet Koçeku.
