**Mërgimtari nga Kosova humbet vendin e punës në Austri pas pushimeve të paautorizuara**
Një shtetas shqiptar nga Kosova, i cili punonte si stazhier mekanik automjetesh në Salzburg të Austrisë, është shkarkuar nga puna pasi udhëtoi drejt Kosovës për pushime, pa marrë miratimin e punëdhënësit. Megjithëse e dërgoi çështjen në gjykatë dhe kërkoi dëmshpërblim, ai humbi procesin në shkallën e dytë të gjykimit.
Sipas mediave austriake, i riu kishte shprehur dëshirën për të marrë pushime gjatë verës, por nuk kishte paraqitur asnjë kërkesë zyrtare dhe asnjë marrëveshje konkrete për datat e lejes nuk ishte arritur.
Megjithatë, më 8 korrik 2024, ai u nis drejt Kosovës. Vetëm pak para fluturimit, e njoftoi punëdhënësin përmes aplikacionit WhatsApp se do të mungonte deri më 18 korrik.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, stazhieri humbi dokumentin austriak të identitetit, i cili shërbente edhe si leje qëndrimi, gjë që i pamundësoi kthimin në datën e planifikuar.
Ai informoi kompaninë për situatën, ndërsa punëdhënësi i kërkoi të paraqitej në punë jo më vonë se data 24 korrik. Megjithatë, stazhieri u kthye me një ditë vonesë. Si pasojë, kontrata e tij e punës u ndërpre menjëherë.
Më pas, ai iu drejtua gjykatës, duke kërkuar rreth 9.300 euro dëmshpërblim për shkarkimin nga puna. Fillimisht fitoi çështjen në shkallën e parë, por Gjykata e Lartë Rajonale në Linz e rrëzoi vendimin.
Gjykata vlerësoi se, megjithëse marrëveshjet për pushime mund të bëhen edhe gojarisht, ato duhet të jenë të qarta dhe të arrihen paraprakisht. Gjithashtu u theksua se kompania dispononte një sistem elektronik për paraqitjen dhe miratimin e kërkesave për pushim, të cilin stazhieri nuk e kishte përdorur.
Lajmi është transmetuar nga albinfo, bazuar në raportimet e mediave austriake.
