Hetues Policor nga Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Novobërdë lidhur me rastin e raportuar me datën 17.06.2026 si vjedhje e automjetit në fshatin Kufcë e Epërme të komunës së Novobërdës, si rezultat i veprimeve intensive operative e hetimore në terren në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë siguruar prova të arsyeshme që tregojnë se rasti nuk paraqet elemente të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.

Në njoftimin e policisë thuhet se nga verifikimet dhe intervistat e zhvilluara është konstatuar se raportimi ka ndodhur si rezultat i mungesës së informacioneve të plota nga ankuesja lidhur me shfrytëzimin e automjetit Audi me targa vendore, të cilin automjet e kishte marrë në shfrytëzim një familjar i saj në atë kohë.

“Gjatë hetimeve janë sqaruar të gjitha rrethanat relevante që kanë çuar deri te raportimi i rastit”, thuhet në njoftim.