Ylli i Superligës së Kosovës dhe tashmë ish-lojtari i Dritës, Veton Tusha është transferuar në kampionatin slloven te Celje.
23-vjeçari ka kompletuar transferimin te Celje, e cila është kampione e Sllovenisë.
Nga transferimi i tij në Slloveni, Drita do të fitojë 250 mijë euro, teksa Tusha ka nënshkruar kontratë me klubin e ri deri më 2029.
Tusha e njeh Celjen tashmë, pasi në muajin shkurt pati dy përballje ndaj saj, me fanellën e Dritës, me ndeshjet e luajtura në kuadër të “play-offit” të Ligës së Konferencës.
Anësori kishte dy ndeshje mjaft të mira në ato përballje, teksa shkëlqeu edhe me Dritën në Superligën e Kosovës, duke e fituar titullin e dytë radhazi sivjet.
Tusha ishte pjesë e Dritës për dy sezonet e fundit, duke u transferuar nga Dinamo City, derisa më parë kishte luajtur edhe për Ballkanin, Termalicn e Denizlisporin.
Me Dritën, anësori 23-vjeçar ka fituar tre trofe: dy herë Superligën e Kosovës dhe një herë Superkupën e Kosovës.
Tusha ishte reprezentues i Kosovës U21, me të cilën pati 14 paraqitje e dy gola./GazetaExpress/
