Një alarm i sigurimit të një diskoteke në Prishtinë ka mobilizuar njësitë policore në orët e para të mëngjesit, pas dyshimeve se një person po lëvizte i armatosur me kallashnikov.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:05 pranë diskotekës “Zone”, në rrugën “Dervish Çollaku”.
Sipas informacioneve të siguruara, sigurimi i lokalit kishte ndaluar një person dhe kishte njoftuar Policinë për dyshimet se ai posedonte një armë të gjatë.
Pas reagimit të njësive policore, në vendngjarje është arrestuar Xh.B., rreth 34-vjeçar.
Gjatë kontrollit në parkingun afër diskotekës, Policia ka gjetur një armë të gjatë që dyshohet të jetë kallashnikov, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit të të dyshuarit është gjetur edhe një karikator.
Sipas raportimeve në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit policorë, të cilët kanë sekuestruar një armë të gjatë, një karikator dhe 13 fishekë.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, por ka zgjedhur të mos japë deklaratë, duke shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Me urdhër të Prokurorit kompetent, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa është dërguar në ndalim për 48 orë.
Kallashnikovi u gjet në parking, karikatori në veturë. Pas alarmit të sigurimit të diskotekës, 34-vjeçari përfundoi në prangat e Policisë.
