**Verë me dy fytyra: Java nis me reshje, ditët e fundit rikthejnë diellin**

Me fillimin e verës astronomike, Kosova pritet të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, të cilat në fillim të javës do të sjellin mot të ndryshueshëm.

Sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), gjatë ditëve të para do të favorizohet zhvillimi i vranësirave konvektive, reshjeve lokale shiu dhe vetëtimave me bubullima, kryesisht në orët e pasdites. Këto reshje konsiderohen të dobishme për sektorin e bujqësisë, pasi ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës dhe përmirësimin e kushteve agrometeorologjike për kulturat bujqësore.

Kushtet biometeorologjike, sipas IHMK-së, në përgjithësi do të mbeten të favorshme për shumicën e popullatës. Megjithatë, gjatë periudhave me temperatura të larta dhe para zhvillimit të stuhive lokale, mund të shfaqen shqetësime të lehta te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike.

Ndërkohë, indeksi UV do të jetë i lartë gjatë intervaleve me diell. Prandaj, autoritetet rekomandojnë shmangien e ekspozimit të gjatë në diell gjatë orëve të mesditës dhe përdorimin e masave mbrojtëse.

**Parashikimi ditor:**

**E hënë**
Moti do të jetë i vranët, me intervale dielli. Vranësirat pritet të sjellin reshje lokale shiu dhe vetëtima me bubullima. Temperaturat minimale do të luhaten nga 13-16°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë 26-29°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-11 m/s.

**E martë**
Pritet mot i vranët, me intervale dielli. Në pjesën e dytë të ditës parashikohet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të sjellin reshje lokale shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima. Temperaturat minimale 13-16°C, maksimalet 26-30°C. Era nga verilindja 1-9 m/s.

**E mërkurë**
Moti do të jetë i ndryshueshëm dhe jostabil. Gjatë ditës parashikohen reshje lokale shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima. Temperaturat minimale 13-16°C dhe maksimalet 27-31°C. Era nga verilindja 1-9 m/s.

**E enjte**
Pritet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Kushtet atmosferike do të jenë më të qëndrueshme, me pak gjasa për reshje. Temperaturat do të rriten, me minimale 13-16°C dhe maksimale 27-32°C. Erë e lehtë nga verilindja 1-4 m/s.

**E premte**
Moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Kryesisht i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për aktivitete në natyrë. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 33°C, ndërsa ato minimale do të jenë 13-16°C. Era nga veriperëndimi 1-4 m/s.